КУЛТУРНА УРБАНА МЕМОРИЈА

URA E GURIT

(photo: Silvana Sidorovska-Čupovska, 2019)

Sipas gërmimeve arkeologjike, ura u ndërtua në shekullin e 6-të, menjëherë pas tërmetit katastrofik të vitit 518, në kulmin e punimeve për të rindërtuar gjithë perandorinë nën udhëheqjen e perandorit Justinian I. Burime të tjera historike thonë se ura u ndërtua gjatë sundimit të Sulltan Mehmedit II pushtuesit të periudhës 1451-1469. Në burimet historike, përmendet në vakëfnamën e Xhamisë Isa Beu, d.m.th Xhamia Alaxha ( E larme) në 1469 (874 i Hixhrit). E ndërtuar në të njëjtin vend si është sot, ura lidh dy brigjet e lumit Vardar, duke mundësuar komunikimin midis dy anëve të qytetit, të cilat vazhdimisht zhvilloheshin dhe urbanizoheshin. Në vitin 1575, veneciani Jakobo Soronzo, i cili po kalonte përmes Shkupit gjatë rrugës për në Kostandinopojë, e përshkroi urën si një ndërtim prej 13 harqesh, me një gjatësi totale prej 329 hapash (213,85 m) dhe një gjerësi prej 6,33 m, e cila është, në fakt forma e saj fillestare. Ura është e ndërtuar me blloqe travertine të përforcuara me plumb të derdhur. Guri i thërrmuar dhe llaçi janë përdorur për ndërtimin e brendësisë së kolonave. Disa nga shtyllat, përfshirë edhe atë qendrore, e cila në pjesën e sipërme të saj përfundon me një kamare dekorative (kulla e vrojtimit), kanë hapësira të mëdha frëngjish. Elementet dekorative (të ashtuquajturit stalaktite) karakteristikë e arkitekturës profane islame u përdorën për dekorimin e fasadave. Ndër shekuj, Ura e Gurit është dëmtuar dhe rindërtuar vazhdimisht. Ajo u shkatërrua edhe në tërmetin e madh të vitit 1555, kur katër shtylla u shkatërruan dhe u dëmtuan rëndë. Ura u rindërtua në 1579 dhe arriti të përballojë katër vërshime lumenjsh.

Shkrimtari turk i udhëtimeve Evlija Çelebi, i cili banoi në Shkup më 1660-1661, transkriptoi dhe e përjetësoi në mbishkrimin në pllakën e mermerit si në vijim: “Kur njerëzit panë rindërtimin e kësaj ure të pashembullt, e lavdëruan me fjalët, është shumë më e bukur se sa ishte më parë."”

Në 1817/1818, gjatë sundimit të Sulltan Mahmudit II, u bë një ndërhyrje e re, për të cilën, sipas burimeve, ishin paguar 28,816 grosh dhe 2 aspri. Ndërhyrjet për mirëmbajtjen e urës u bënë më vonë. Kështu, para vitit 1885, u ndërmorën punë ndërtimore për të rindërtuar harqet në anën veri-lindore, duke përdorur tulla për harqet dhe pllaka guri për pjesët e poshtme të shtyllave. Në 1895 ura ishte përsëri nën vrullin e ujërave të mëdha të lumit Vardar dhe si një nga masat për të rregulluar rrjedhën e lumit në këtë pjesë, në breg u ndërtuan muret mbrojtëse. Gjatë gjithë kësaj periudhe, deri më 1909, ura kishte gardhe prej pllakash guri. Më 1944, gjatë tërheqjes së trupave gjermane, ura u minua, por u shpëtua nga shembja kur qyteti u çlirua, duke parandaluar kështu shpërthimin e dinamitit. Që nga viti 1992, për të rivendosur pamjen fillestare e të Urës së Gurit, kanë filluar ndërhyrje të reja për rindërtimin e saj. Trotuaret rreth konsolave të hekurit janë ulur, duke dhënë gjerësinë fillestare të urës. Ura e gurit ka mbetur për shekuj me radhë një vendkalim përmes të cilit janë bartur dhe barten shijet, zakonet, kultura dhe larmishmëria.


Silvana Sidorovska-Čupovska (përkthim: Nataša Didenko)



Културна урбана меморија ‒ мапирање на местата на сеќавање (КУМ)

Проект на Институтот за национална историја ‒ Скопје

Финансирано од Министерството за култура на Република Северна Македонија